Berlinale

16463637_717175651789854_422025807836633245_o

10974220_389960204511402_5200424313794913481_o

Deutsche Welle – “Vergine Giurata” Shqipëria dhe Kosova në Berlinalen 2015


Skenë nga filmi “Vergine Giurata”

Kanuni “frymëzon” – Shqipëria dhe Kosova në Berlinalen 2015

Edhe pse “Vergine Giurata” doli pa çmim nga Berlinalja e 65-të (05-15.02.2015), ky bashkëprodhim i futi për herë të parë Shqipërinë dhe Kosovën si pjesëmarrëse në garën zyrtare të Berlinales.
Ka ndonjë film shqiptar në Berlinale? Më pyet burri i ulur bri meje në sallën e “Berlinale Palast” para se të fillojë premiera botërore (12.02.2015)e “Vergine Giurata” (titulli në shqip: Burrnesha). Heinz Badewitz, hemelues i njërit prej festivaleve më të vlerësuar në Gjermani (“International Filmfestival Hof”) ka pak të drejtë, se “Vergine Giurata” është në fakt film italian. Kontributet e Shqipërisë (me anë të Studios Erafilm) dhe të Kosovës (nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës) janë “minoritare”, siç quhet në zhargon, pas atyre të Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Por mjaftojnë për t’i konsideruar vendet zyrtarisht pjesëmarrëse në Berlinale. Prandaj unë i them: Filmi që do të shikoni tani.
Në ekran në atë moment shfaqen pamje nga tapeti i kuq: Ilire Çelaj është duke dhënë disa deklarata për televizionet shqiptare. Pas pak vijnë të tjerët: Fjonja Kodheli, Bruno Shllaku, Luan Jaha, por vëmendja e kamerave përqendrohet natyrisht te ylli i mbrëmjes, Alba Rohrwacher, (fituese e Coppa Volpi, Venecie 2014) dhe Lars Eidinger. Aktori më i preferuar i teatrove berlineze ka vënë një karficë vajzërore te flokët si për tërhequr vëmendjen për konstruktin social të identitetit gjinor, për çfarë bën fjalë “Vergine giurata”. Pastaj hyjnë në sallë ku priten me duartrokitje nga afro 1800 shikuesit dhe pas pak shuhen dritat dhe sundon heshtja e zakonshme derisa në pëlhurën e bardhë shfaqen shkronjat e para.
Identitet i dyzuar
Borë në një terren malor. Disa burra përpiqen të kapin një dhi. Kafsha nuk pranon të nënshtrohet. Nuk kuptohet qartë se çfarë duan të bëjnë me të, por në fund të kësaj lufte, që duket sikur është xhiruar me kamera subjektive, njëri prej burrave ulet në gjunjë dhe e shtrëngon në gjoks kafshën e pabindur që nuk e ndrydh dot instinktin e lirisë. Është Marku (Alba Rohrwacher), që në fëmijëri quhej Hana (Drenica Seilmaj). Në këtë moment të shkurtër solidarizimi shikuesi e kupton se brenda këtij personazhi ekziston një dilemë. Pamja vijuese: Marku, ose më saktë, Hana, buzë një gremine përballë Bjeshkëve të Namuna do ta qartësojë edhe më shumë: Është ai hendek i madh mes shpirtit të lirë të njeriut dhe ngurtësisë së përjetshme të një bote arkaike. Para kësaj bote Hana është betuar dikur se do të mbetet e virgjër. Por struktura sociale që përkufizonte identitetin e saj si burrneshë është shpërbërë: As axha (Bruno Shllaku) që e ka rritur dhe i ka mësuar rolin e burrit sipas Kanunit të Malësisë, e as gruaja e tij (Ilire Çelaj) nuk jetojnë më. Dhe Marku/Hana ndjen thellë vetes tundimin për ta thyer betimin e për t’iu kthyer identitetit të mëparshëm. Për këtë ajo merr rrugën për te kushërira, Lila (Flonja Kodheli, si fëmijë: Dajana Selimaj), që tashmë jeton në Milano. Hana dhe Lila janë rritur bashkë, kanë lozur, kënduar e vrapuar me sa të mundnin nëpër gurët e thepisur të malësisë derisa t’u vinte mosha, kur t’i trajtonin si të rritura e t’u kujtonin sesa pak të drejta do të kenë si femra. Të dyja rebelohen kundër Kanunit: Lila largohet nga Shqipëria së bashku me të dashurin e saj Shtjefën (Luhan Jaha), ndërsa Hana e sfidon këtë botë mashkullore e bëhet vetë burrë.
Poezi italiane dhe bukuri arkaike
Në filmin e saj të parë me metrazh të gjatë regjisorja italiane Laura Bispuri ka zgjedhur një pishinë si skenë për rifeminizimin e Hanës. Aty ajo shkon për të shoqëruar vajzën e Lilës, Jonidën (Emily Ferratello), që bën stërvitje në not të sinkronizuar. Për Hanën, e cila e sheshon gjoksin duke e lidhur me një fashë, kjo gjysmëlakuriqësi me dhe pa muskuj, me dhe pa tatuazh përbën një ngacmim të papërballueshëm: Ajo nis një lidhje të heshtur me kujdestarin e pishinës, Bernardin (Lars Eidinger), që kulmon me përvojën e saj të parë seksuale në një banjë të pishinës. Është një film që në radhë të parë flet për ndrydhjen e seksualitetit femëror. Lura Bispuri ka arritur ta përçojë këtë histori të frymëzuar nga romani “Hana” (Sejko, 2007; titulli origjinal: “Vergine Giurata”, Feltrinelli, 2007) i autores shqiptare Elvira Dones, me një përzierje rrëqethëse ndërmjet një gjuhe kinematografike poetike që të kujton klasikët italianë dhe bukurisë së virgjër dhe arkaike natyrore dhe shpirtërore të malësisë shqiptare dhe personazheve të saj. Si e predestinuar për ta mishëruar këtë kontrast duket Alba Rohrbacher: italo-gjermanja e lindur në Firence me kurmin e brishtë dhe fytyrën prej Shën Mërie. Rohrbacher shkëlqen jo vetëm me lojën trupore – aq mashkullore duket ajo në film saqë kritikët me shaka thoshin se do të fitojë Ariun e Argjendtë për aktorin më të mirë – por edhe me një shqipe, që për nga ndjeshmëria e të folurit konkurron me shumë kolege shqiptare. Por fqinji im Heinz Badewitz, thotë se nuk do të çuditej në
se ajo do të merrte Ariun e Argjendtë si aktorja më e mirë. Por siç e kanë çmimet, atë e merr vetëm një: Ai qe rezervuar për një diva më të vjetër të kinematografisë që kishte kohë që ishte në pritje të një shpërblimi të tillë: Charlotte Rampling (“45 Hours”).
Kanuni vazhdon të frymëzojë
Krahas “Vergine Giurata” në Berlinale u shfaq për herë të parë (11.02.2015) edhe një film tjetër për burrneshat: “Hakie/Haki – ein Leben als Mann”(Hakie/Hakiu – jeta si burrë), në seksionin “Perspektive Deutsches Kino” (Perspektiva Kinematografi Gjermane). Aty portretizohet një burrneshë 71-vjeçare që përballet me mbijetesën e përditshme në terrenin e ashpër malor të bjeshkëve. Ndryshe nga Marku, që është bërë burrneshë për të sfiduar Kanunin, Hakia thotë se gjithmonë e ka parë veten si djalë, dhe ashtu e ka trajtuar edhe familja. Ndërsa për Luara Bispurin burrnesha është një metaforë për raportin e feminilitetit me botën, regjisorja e filmit dokumentar, Anabela Angelovska, sheh te burrnesha një dëshmi se sa i konstruktuar është dallimi seksual. Dy qasje që plotësojnë njëra-tjetrën duke treguar kompleksitetin dhe anët e ndryshme të një fenomeni të rrallë.Është hera e dytë që në konkurrimin zyrtar të Berlinales shfaqet një film me temë nga kanuni. Në vitin 2011 ishte “Falja e Gjakut”, dy skenaristët e të cilit, amerikani Joshua Marston dhe shqiptari Andamion Murataj dolën nga gara me një “Ari të Argjendtë”. Pasi gjakmarrja mbisundoi për disa vite ekranet e kinemave dhe televizioneve nëpër botë, tani është fenomeni i burrneshave ai që po i bind më së shumti producentët. Në pritjen që u bë (10.02.2015) në stendën e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në European Film Market (EFM), panairin e filmit që shoqëron tradicionalisht Berlinalen, dëgjoj së paku për tri projekte filmike me temë burrneshat. Edhe Andamion Murataj planifikon një film me këtë temë: Ai është njëri prej afro 30 kineastëve që kanë fituar këtë vit mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (Tiranë). Ilir Butka, drejtor i kësaj qendre, u kishte mundësuar shumicës së tyre që të vinin me grupe për nga tri ditë në EFM për të prezantuar projektet e tyre e për të kërkuar bashkëprodhues.
Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Tiranë.

Potenciale të pashfrytëzuara

Dhe mundësitë për financime shtesë janë të shumta: Njëri syresh është aplikimi në Fondin për Financimin e Kinemasë Evropiane, Eurimages, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota. Butka ua ka vënë si kusht kineastëve që përfitojnë nga QKK-ja që të aplikojnë edhe në Eurimages, çfarë, siç rrëfen ai, u mirëprit nga drejtori i ekzekutiv i Eurimages, Robert Olla. Por një potencial i pashfrytëzuar është ai i financimit të bashkëprodhimeve si kontributor minoritar. Kosova në këtë drejtim ka vite që ia ka kaluar Shqipërisë, falë fondit të krijuar enkas për prodhime të tilla. Këtë e ilustron më së miri “Vergine Giurata”, thotë Ilir Butka. Qendra Kinematografike e Kosovës quhet këtu bashkëprodhuese e filmit, ndërsa Shqipëria merr pjesë falë kontributit privat të Erafilm, drejtuar nga bashkëshortët Sabina Kodra dhe Robert Budina, sepse në legjislacionin shqiptar që është ende i vitit 1997, nuk ka hapësirë për financimin e projekteve minoritare. “Kontributi financiar prej 50 mijë euro është simbolik, krahasuar me buxhetin e filmit (1,2 milionë euro), por shanset që hapen me të janë fantastike”, thotë Butka: “Jo vetëm që na sjell zyrtarisht si pjesëmarrës në festivale të tilla, por bën edhe promocion territorial”.Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, thotë se ndryshimi i legjislacionit të Shqipërisë do ta lehtësonte shumë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kështu do të përfitonin edhe filmat e Kosovës financime nga Shqipëria, ndihmë që deri tani ka qenë njëdrejtimëshe. Kjo do t’ua shkurtonte rrugët e kineastëve shqiptarë drejt tapeteve të kuq të Festivaleve A, siç është ai i Berlinit. Edhe Heinz Badewitz, që për 37 vjet me radhë ka qenë bashkorganizator i Berlinales sheh një shans të madh në këto bashkëprodhime: Tani që Hollywood-i është në krizë, sepse për shkak të internetit publiku i kinemasë ka filluar të vjetërsohet në moshë, u ka ardhur koha filmave autorialë e me buxhet të vogël. “Këtë e pamë edhe në këtë Berlinale”, thotë 73-vjeçari: “Filmat më të mirë vinin nga vende të vogla që deri tani nuk njiheshin për ndonjë prodhimtari të lartë kinematografike”.