HISTORIA E SHKURTER E FILMIT SHQIPTAR

English version

Historia e Kinemasë Shqiptare lidhet me një kulturë të hershme e cila lulëzoi qysh me lindjen e kinematografisë botërore. Jehona e vellezërve Lymier u përhap si një rrezatim i shpejtë i një arti në lindje e sipër edhe në Ballkan me anë të Vëllezërve me origjinë shqiptare Manaki, të njohur si “Lymierët e Ballkanit”. Në vitin 1909 Kol Idromeno shfaqi për herë të parë një film në Shkodër. Më pas filmat e huaj të atyre viteve filluan të shfaqen në kinematë e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Në vitin 1943 regjisori shqiptar Mihallaq Mone xhiroi për herë të parë në Pogradec një film artistic 10 minutësh i titulluar Takim në Liqen në të cilin interpretonin aktoret Merita Sokoli, motrat Xhaçka dhe aktori i njohur shqiptar i atyre viteve në Rumani, Kristaq Antoniu.

Në fillim të shek. 20 shpërbërja e Perandorisë Osmane solli ciklime luftrash dhe betejash politike për të rivendosur kufijtë. Në këto situata, kur territori Shqiptar u bë shesh betejash të luftrave ballkanike, Luftës së Parë dhe të dytë Botërore, operatorë të huaj, që shoqëronin ushtritë apo kalonin për të pasqyruar kaosin luftarak që sundonte në gjithë rajonin, kanë lënë xhirimet e tyre si dëshmi e atyre kohërave.

Disa prej këtyre materialeve të rralla ndodhen sot në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Kronika më e hershme është ajo e vitit 1911 që pasqyron rrethimin e Shkodrës nga ushtritë Malazeze dhe pasohet nga kronikat e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, si dhe ato me pamje nga Tirana dhe Durrësi.

Prodhimi kinematografik vendas filloi në vitin 1947 me themelimin e Ndërmarrjes  kinematografike e cila nisi xhirimet e kronikave, suzheteve e kinoditarëve. Industria e filmit të gjatë dhe dokumentar filloi në vitin 1952 me themelimin e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Një brez i tërë kineastësh mbaruan shkollat në ishdemokracitë e lindjes dhe shumë shpejt hodhën bazat e prodhimit kinematografik vendas. Në vitin 1953 u realizua filmi Skënderbeu në bashkëprodhim me “Mosk Film”. Në vitin 1957 u realizua filmi i parë i shkurtër shqiptar Fëmijët e saj i regjisorit Hysen Hakani dhe më pas u realizua filmi i parë i gjatë Tana i regjisorit Kristaq Dhamo. Këta filma shënuan fillimin e një procesi të vrullshëm e cila krijoi kushtet që kjo kulturë të trashëgohej në brezat e ardhshëm dhe të mbahet gjallë deri në ditët tona. Arti kinematografik i asaj kohe u zhvillua për interesa kryesisht ideologjike. Pavarësisht nga interpretimet që i shërbyen kohës së diktaturës, duke marrë në analyze fushën e gjerë të zhvillimit të këtij arti, mund të arrijmë në përfundim se kjo industri krijoi stabilitet dhe në disa raste arriti suksese ambicioze. Në vitet 80-të në Shqipëri arritën të xhiroheshin rreth 14 filma artistikë në vit, 30 dokumentarë dhe mbi 500 kronika, shifra këto të larta për çdo vend të rajonit, si dhe për vende të vogla perëndimore.

Gjatë viteve të izolimit të tejskajshëm të vendit, arti kinematografik humbi orientimin bashkëkohor duke e bërë filmin shqiptar lokal dhe krejtësisht të veçuar nga avangardat e vendeve të tjera. Planifikimi i tematikave si rezultat i trilleve të politikave të kohës, solli bllokimin e të gjitha alternativave artistike.

Me rënien e diktaturës, pas viteve ‘90, autorë të rinj dhe me përvojë, duke u mbështetur në eksperiencën e industrisë së prodhimit kinematografik të viteve të mëparshëm, me motive dhe ambicje të reja artistike, filluan të punojnë për të plotësuar hapësirat e munguara në filmin shqiptar. Sot, komuniteti i kineastëve përballet me sfidat e reja për t’u berë pjesë e industrisë kinematografike botërore. Vitet 2000 kanë sjellë suksese dhe frymë të re në kinemanë shqiptare, duke e klasifikuar atë në Kinemanë e Autorit, shumë të pasur me individualitete dhe filma eksperimentalë.

Ne kete link mund te shikoni filmat e realizuar nga Kinostudio “Shqiperia e Re”