STATUTI I QENDRËS KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË

KREU I

Dispozita të përgjithshme

Neni 1
Baza ligjore, emërtimi dhe selia

Qendra Kombëtare e Kinematografisë organizohet dhe funksionon në zbatim të ligjit 8096, datë 29.04.1996 “Për kinematografinë” si institucion Kombëtar në varësi të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Emërtimi i plotë i saj është Qendra Kombëtare e Kinematografisë, kurse emërtimi i shkurtër është QKK. Në të gjitha publikimet, përfaqësimet apo aktet e tjera që do të nxirren nga institucioni, emërtimi do të jetë sipas kësaj forme të plotë ose të shkurtuar. Selia e QKK ndodhet në mjediset e “Albafilm Studio”.

Neni 2

Objekti i veprimtarisë së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë
QKK ka për objekt të saj mbështetjen ekonomike, drejtimin dhe koordinimin e gjithë veprimtarisë kinematografike në Shqipëri. Veprimtaria kinematografike në kuptimin e lartpërmendur përfshin krijimin, prodhimin, bashkëprodhimin, shpërndarjen dhe shfaqjen e veprave filmike, si dhe format e tjera të shfrytëzimit të punëve krijuese kinematografike.

Neni 3
Detyrat

Në funksion të përmbushjes së kompetencave dhe atributeve që ajo ka në zbatim të ligjit, QKK plotëson detyrat e mëposhtme:
1- Bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të hartuar ose plotësuar legjislacionin e fushës dhe gjithë aktet e tjera për mirëfunksionimin e veprimtarisë kinematografike në Shqipëri.
2- Përcakton shpërndarjen e fondit buxhetor për gjinitë e filmit (artistik, dokumentar e të animuar).
3- Shpërndan fondin për projektet që përmbushin kërkesat e rregullores për prodhimin dhe shpërndarjen e filmit dhe që kanë vlera cilësore dhe interes kulturor kombëtar, gjithashtu raporton për realizimin e projekteve dhe fondeve të miratuara.
4- Miraton projektet për realizimin e veprave filmike të një producenti shqiptar, të producentëve shqiptarë a të huaj, kur jepen fonde nga QKK.
5- Përcakton fondet për Festivale e javë filmi kombëtar e ndërkombëtar.
6- Regjistron të gjithë personat fizik dhe juridik, përvec personave juridik publik që nuk kryejnë veprimtari me karakter tregtar, që merren me prodhimin dhe shpërndarjen e filmave sipas procedurave të vendosura në rregullore.
7- Regjistron të gjithë personat fizik dhe juridik, përvec personave juridik publik që nuk kryejnë veprimtari me karakter tregtar, që zotërojnë sallat a mjediset e tjera për shfaqjen e veprave filmike, sipas rregullores së shpërndarjes dhe shfaqjes së veprave filmike në territorin e Republikës së Shqipërisë, miratuar nga Kryetari i QKK.
8- Regjistron filmat e realizuar ose të importuar që do të shfaqen në territorin e Shqipërisë.
9- Kontrollon zbatimin e standarteve teknike të aparaturave që funksionojnë në Shqipëri për prodhimin dhe shpërndarjen e veprave filmike.
10- Mbështet financiarisht kualifikimin dhe përgatitjen e kineastëve të rinj si dhe botimet e ndryshme të veprimtarive kinematografike.
11- Informon producentët për mundësitë e saj financiare, për ndryshimet në këshillat e saj miratues, për ndryshimet e akteve ligjore dhe nënligjore dhe për pjesëmarrjen në festivale dhe javë të filmit kombëtar dhe ndërkombëtar.
12- Analizon dokumentacionin tekniko-ekonomik të projekteve të paraqitura duke zbatuar normativat e aprovuara prej saj.
13- Financon projekte distribuimi të veprave filmike shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

KREU II
Organet drejtuese

Neni 4
Kryetari

Kryetari i QKK emërohet nga Këshilli i Ministrave ndërmjet dy kandidaturave të propozuara nga Ministri i Kulturës, me mandat 4-vjeçar. Kandidaturat duhet të jenë autoritete të njohura në publik nga fusha e artit dhe e kulturës. Kryetari i QKK mund të shkarkohet nga kjo detyrë përpara afatit të lartpërmendur kur:
1. Vepron në kundërshtim me kompetencat e njohura nga ligji nr. 8096, datë 21.03.1996 “Për kinematografinë”.
2. Është dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
3. Bëhet I paaftë për arsye shëndetësore.
4. Jep dorëheqjen
5. Mungon në detyrë për një periudhë deri në gjashtë muaj.
Shkarkimi i tij bëhet po me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5
Funksionet

1. Kryetari i QKK është përfaqësuesi i institucionit në marrëdhëniet me të tretë. Ai përcakton dhe drejton strukturën administrative të QKK.
2. Drejton veprimtarinë e QKK në përputhje me kërkesat e ligjit 8096, datë 21.03.1996, “Për Kinematografinë” dhe të këtij statuti.
3. Emëron dhe liron në përputhje me Kodin e Punës, të gjithë vartësit e tij.
4. Merr vendime që lidhen me cështje të organizimit apo të financave sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës.
5. Miraton vendimet e Këshillave Miratues të Projekteve.
6. Kryetari i QKK ka të drejtën të rikthejë vendimin e KMP duke bashkangjitur arsyet motivuese. Në rast se vendimi rimiratohet nga KMP, ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
7. Në rast shkelje të vendimeve ligjore nga producentët dhe distributorët, Kryetari i QKK ka të drejtën e pezullimit të përkohshëm ose përfundimtar të veprimtarisë së shoqërisë.
8. Cakton anëtarët e Komisionit të Vizionimit dhe atij Financiar.
9. Përgjigjet për ligjshmërinë në veprimtarinë e QKK.

Neni 6
Këshilli Miratues i Projekteve (KMP)

Këshillat Miratues të Projekteve zgjidhen nga shoqatat e kineastëve.
Këshillat Miratues të Projekteve, në të tria gjinitë e filmit (artisik, dokumentar dhe të animuar), vlerësojnë dhe përzgjedhin projektet nga pikëpamja artistike e ekonomike dhe projektet fituese ia paraqesin kryetarit për miratim.
Këshillat Miratues të Projekteve drejtohen nga kryetarët e tyre, të cilët zgjidhen prej këshillave përkatës cdo dy vjet. Këshillat Miratues të Projekteve janë organizma jofunksionare.
Këshilli Miratues i Projekteve për aktivitetin kinematografik përbëhet nga 7 persona.

Neni 7
Papajtueshmëritë

Anëtarët e KMP nuk mund të jenë personat që pavarësisht nga plotësimi i kushteve të lartpërmendura janë:
1. Punonjës të QKK.
2. Autorë të projekteve konkurues, ose që kanë lidhje gjinie, farefisnie apo krushqie me ta.
3. Producentë ose bashkëproducentë të projekteve konkurues.

Neni 8
Mandati

Anëtarët e KMP kanë një mandat dy vjecar. KMP thirret nga Kryetari i QKK jo më pak se dy herë në vit për cdo gjini filmi. Anëtarët e KMP hiqen përpara mandatit të lartpërmendur kur:
• nuk merr pjesë në dy sesione radhazi;
• funksoni që merr ndërkohë bie në kundërshtim me kushtet e përmendura në nenin 8 të këtij statute;
• dënohet nga gjykata me një vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
• jep dorëheqje me shkrim;
• bëhet i paaftë për arsye shëndetsore.

Neni 9
Komisioni i Vizionimit

1- Komisioni i Vizionimit caktohet nga Kryetari i QKK dhe përbëhet nga tre anëtarë, një prej të cilëve është përfaqësues i MKRS. Ky komision pajis me leje për qarkullim veprat filmike të prodhuara në Shqipëri ose të importuara nga jashtë, por që do të transmetohen në territorin e Shqipërisë në salla (kinema) apo media elekronike. Kryetari i Komisionit zgjidhet nga anëtarët e këtij komisioni. Komisioni i Vizionimit është organizëm jofunksionar, me afat dy vjecar.
2- Komisioni i Vizionimit mblidhet me urdher të Kryetarit të QKK sa herë ky e gjykon te arsyeshme dhe gjithmonë jo më pak se 10 herë në vit.
3- Distributori që dëshiron të marrë liçensën e qarkullimit duhet të sjellë kopjen e filmit. Kopja e filmit duhet të jetë e njëjtë në gjatësi dhe cilësi me kopjen që do të qarkullojë.
4- Për pajisjen me licensë distributori është i detyruar të përgatisë për qarkullim filmin të dubluar ose të subtitruar në gjuhën shqipe. Ndalohet kategorikisht dhënia e licensës për qarkullimin e filmave që nuk plotësojnë këtë kusht.
5- Rregullat, kushtet dhe dokumentacioni i paraqitur nga Distributori parashikohen në rregullore.

Neni 10
Komisioni Financiar

Komisioni Financiar caktohet nga Kryetari i QKK. Ky komision përbëhet nga tre vetë, njëri nga të cilët përfaqëson Drejtorinë Ekonomike të MKRS. Komisioni vlerëson projektet e paraqitura nga pikëpamja financiare dhe mbikqyr realizimin e fondit buxhetor në projektet e miratuara. Kryetari i Komisionit Financiar zgjidhet nga ky komision.

KREU III
Neni 11
Buxheti i QKK

Për realizimin e detyrave të përmendura në nenin 3 të këtij statuti, QKK administron fondin kombëtar të filmit i cili përbëhet nga:
1- Financimi i Buxhetit të Shtetit.
2- Të ardhura jobuxhetore.
Në të ardhura jobuxhetore sipas VKM nr. 796, datë 24.12.1998, “Për të ardhurat e Qendrës Kinematografike, për shpërblimet e Këshillave Miratues të Projekteve, të Komisionit të Vizionimit dhe të Komisionit Financiar”, përfshihen:
1. Organizimi i festivaleve kulturore, botimet periodike si dhe nga shfrytëzimi i të mirave dhe veprimtarive të tjera të kryera nga QKK,
2. Tarifat e caktuara për veprimet e liçensimit të punëve kinematografike
3. Të ardhurat e realizuara nga qarkullimi i punëve kinematografike të realizuara para hyrjes në fuqi të ligjit 8096, datë 21.03.1996
4. Të ardhurat e realizuara nga qarkullimi i punëve kinematografike të realizuara me mbështetjen financiare të QKK,
5. Të ardhurat nga shitja e biletave të shfaqjeve kinematografike,
6. Të ardhurat nga sponsorë e donatorë të ndryshëm.
7. të ardhura nga lejet e distribucionit dhe vizionimit të filmave nga ana e komisionit të vizionimit.

KREU IV
Neni 12
Financimi i projekteve

“Neni 12 Financimi i projekteve filmike Qendra Kombëtare e Kinematografisë financon:
1. Projekte filmike shqiptare, që realizohen në bashkëprodhim, ku produksioni shqiptar ka mazhorancën.
2. Projekte filmike, që realizohen në bashkëprodhim, në të cilat:
a) regjisori i projektit është shtetas shqiptar;
b) të paktën njëri nga autorët (skenaristi ose kompozitori) është shtetas shqiptar.
3. Projekte filmike, që realizohen në bashkëprodhim, ku produksioni shqiptar është në minorancë. Si të tilla konsiderohen:
a) projekte filmike të autorëve shqiptarë (nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi);
b) projekte filmike të huaja, të cilat plotësojnë, të paktën, njërin nga kriteret e mëposhtme:
– Filmi trajton temë shqiptare;
– Një pjesë e xhirimeve të filmit kryhet në Shqipëri;
Gjuha e filmit të jetë gjuha shqipe, në jo më pak se 50% të tij, dhe versioni i kopjes përfundimtare të jetë në gjuhën shqipe.
c) projekte filmike të huaja, me interes të veçantë, të cilat shpenzojnë në Shqipëri një masë të konsiderueshme të buxhetit të tyre (nëpërmjet xhirimeve apo proceseve të tjera të prodhimit të filmit).
4. Masa e financimit të projekteve filmike, të përmendura në pikën 3, të këtij neni, është deri në 15% e vlerës së projektit.
5. Rregullat, kushtet dhe dokumentacioni, që duhet të paraqesë shtëpia kinematografike për të përfituar financim, parashikohen në rregulloren e QKK-së.
6. QKK-ja nuk mbështet financiarisht projektet filmike, të cilat: -kanë natyrë pornografike, horror etj.; -ngrenë kultin e dhunës; -nxitin hapur shkeljen e të drejtave të njeriut; -cenojnë rendin publik; -provokojnë urrejtjen sociale, racore ose çdo formë tjetër diskriminimi.

Neni 13

Për realizimin e projekteve të filmave që përfitojnë fonde nga QKK, producentët hyjnë në marrëdhënie kontraktore me aktorët, krijuesit, me grupin realizues dhe me të tretët.

Neni 14
Dispozita të fundit

Institucioni ka vulën e tij ku shkruhet: Republika e Shqipërisë, Qendra Kombëtare Kinematografike, Tiranë.
Ngarkohet Qendra Kombëtare e Kinematografisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.